Britania, Franca dhe Gjermania i bënë thirrje të premten OKB-së të ndërmarrë një hetim lidhur me akuzat që Rusia ka përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën, duke thënë se Moska ka shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.
Në një letër të nënshkruar nga të dërguarit e tyre në OKB që e ka siguruar agjencia Reuters, tre vendet mbështesin thirrjen që Ukraina bëri të hënën për një hetim të tillë, duke argumentuar se përdorimi i dronëve shkeli Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mbështetje të marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015.
Ukraina thotë se Rusia ka përdorur dronë sulmues Shahed-136 të prodhuar nga Irani.
Tehrani mohon të ketë dërguar dronë në Rusi dhe Moska ka mohuar që forcat e saj të kenë përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën.
“Ne do të mirëprisnim një hetim nga ekipi i Sekretariatit të OKB-së përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Rezolutës 2231 dhe do të jemi të gatshëm të mbështesim punën e Sekretariatit në kryerjen e hetimeve teknike dhe të paanshme,” shprehen në letër tre vendet, që njihen si grupi E3.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres raporton dy herë në vit në Këshillin e Sigurimit, në qershor dhe dhjetor, mbi zbatimin e rezolutës 2015. Nëse bëhet një vlerësim i përdorimit të dronëve iranianë për sulme në Ukrainë, ai ka të ngjarë të përfshihet në atë raport./Voa
Top Channel