Ekonomia do ngadalësojë/ Buxheti i 2023, parashikon 130 mln euro më shumë nga taksat e reja

20/10/2022 15:16

Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet vitin e ardhshëm dhe rritja ekonomike është parashikuar të jetë vetëm 2.6% sipas projektbuxhetit për vitin 2023. Kjo ndikuar nga kriza globale e çmimeve që ka prekur edhe ekonominë shqiptare si dhe pasiguritë e shtuara prej saj.

Sipas draftit të publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat pritet të arrijnë në 625.7 miliardë lekë, gati 5.3 miliardë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore kapin nivelin e 687.2 miliardë lekëve, ekuivalente me 5.8 miliardë euro. 625.7

Në relacionin projektbuxhetit të ri, rritja e të ardhurave buxhetore  do të realizohet nga miradministrimi, lufta ndaj evazionit si dhe fokusi drejt tatimpaguesit që sjellin më shumë para për arkën e shtetit. Kontribut të konsiderueshëm në këtë të fundit pritet të japë edhe rritja e fortë e çmimeve veçanërisht e karburanteve dhe energjisë elektrike.

Sa i takon shpenzimeve buxhetore, që janë ndjeshëm më të larta se një vit më parë, fokusi do të jetë veçanërisht te investimet publike që për vitin e ardhshëm janë planifikuar 122.2 miliardë lekë duke përfshirë edhe fondin e rindërtimit në masën 5 miliardë lekë. Prioritet do të ketë vazhdimësia e projekteve ekzistuese por edhe nisja e projekteve të tjera të reja infrastrukturore.

Qeveria zotohet të ulë më tej borxhin publik për vitin e ardhshëm në nivelin e 67.5%, nga 68.8% i pritshëm për vitin aktual. Ndërkohë, që qeveria duket se do ti drejtohet sërish tregjeve ndërkombëtare edhe vitin që vjen përmes emetimit të një Eurobondi të ri nëse kushtet do të jenë të favorshme.

Projektbuxheti pritet te mbledhë të ardhura shtesë nga paketa e re fiskale si dhe nga dy ligje të reja që pritet të hyjnë nga 1 janari. Nga paketa fiskale priten 4.5 miliardë lekë, ndërsa nga lojërat e fatit 2 miliardë lekë. Gjithashtu qeveria do vër një taksë mbi kompanitë energjetike që eksportojnë me çmime tregu dhe parashikon të mbledhë 8.3 miliardë lekë. Në total, nga këto masa fiskale pritet të mblidhen 14.8 mld lekë ose 130 milionë euro.

Top Channel