Izraeli nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, tha sot ministri i mbrojtjes Benny Gantz, dy ditë pasi Rusia paralajmëroi se diçka e tillë do të dëmtonte marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Politika jonë në lidhje me Ukrainën nuk do të ndryshojë, ne do të vazhdojmë të mbështesim Perëndimin por nuk do të dërgojmë sisteme armatimesh”, tha Gantz në një takim me ambasadorë të BE.
Izraeli ka ruajtur një linjë te tërhequr diplomatike që prej nisjes së konfliktit të Ukrainës, duke kërkuar të ruajë lidhjet me Moskën.
Tel Avivi raportohet se kërkon të ruajë bashkëpunimin rus për konfliktin e Sirisë, ku vazhdimisht ka goditur nga ajri objektivat që quan “të lidhura me Iranin”.
Zyrtarët izraelitë thonë se duan të ruajnë marrëdhëniet me Rusinë “prej numrit të lartë të hebrenjve atje” dhe për të shmangur “një rikthim të kushteve të Luftës së Ftohtë”.
Qëndrimi izraelit nuk është pritur mirë nga Ukraina ku presidenti Zelensky, i cili është vete hebre, ka thënë se vendi nuk po i kundërvihet “agresionit rus”.
Gantz tha sot se Izraeli do të vijojë të japë ndihmë humanitare për Ukrainën, duke përfshirë “pajisje mbrojtëse jetë-shpëtuese” dhe se një paketë e re ndihmash do të aprovohet së shpejti.
Top Channel