![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/129148f1-e36a-4e9e-dbcc-08dd3bb47256_w1597_n_r1_st_s_sd-800x450.jpg)
Janë identifikuar mbetjet kockore të gjetura javë më parë Novobërdë.
Ekspertiza tregon se viktima është Bedri Rexhepi, biznesmeni që u zhduk në prill të vitit të kaluar, për çka Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur edhe aktakuzë për veprën penale vrasje në bashkëkryerje.
Sipas prokurorisë, Bedri Rexhepi u vra për shkak të 30 mijë eurove që të dyshuarit donin t’i përfitonin.
Familja e Bedri Rexhepit kërkon dënimin e merituar për dy të dyshuarit e vrasjes së tij.
“Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, thuhet në reagimin e familjes.
Bedri Rexhepi mendohet se më 8 prill rreth orës 16:30 ka dalë nga shtëpia e tij në Prishtinë, për të takuar njërin nga të dyshuarit. Një ditë pas makina e tij u gjet nga policia në fshatin Janjevë të Lipjanit. Që nga ajo kohë, janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe dy të akuzuarit.
Top Channel