Një burrë nga Brazili ka bërë një debutim “për të hapur sytë” në listën e rekordeve Guinness teksa pritet të njihet për ‘zgurdullimin më të madh të syve në botë’.
Sidney de Carvalho Mesquita, gjithashtu i njohur si Chico, mban rekordin për burra falë aftësisë apo paaftësisë së tij teksa raportohet se mund të “nxjerrë” jashtë kokërdhokët e tij për gati 1 cm.
De Carvalho Mesquita ka zbuluar talentin e tij pak kohë më parë teksa bënte ngërdheshje e fytyra të ndryshme me miqtë e tij dhe para pasqyrës.
Megjithse të impresionuar me aftësinë e tij, familjarët fillimisht besonin se ishte një sëmundje.
Por për fat doktorët i thanë De Carvalho Mesquita, se nuk ishte kështu dhe ai ka mundur të përdorë aftësinë e tij jo vetëm të rrallë por dhe disi tmerruese, për t’u bërë i famshëm jo vetëm në Brazil por dhe në vende të tjera të rajonit.
“Aftësia ime duket vërtet një dhuratë, ajo ka ardhur nga nëna, nga babai dhe nga Krijuesi”, tha de Carvalho Mesquita në rekordet Guinness, ku pritet të prezantohet vitin që vjen.
Termi mjekësor për fenomenin e ekzekutuar nga Carvalho Mesquita me kokërdhokët e tij quhet ‘luksacion i globit të syrit’, dhe është një gjendje e rrallë që matet nga ‘optometristi’.
De Carvalho Mesquita e përshkruan ndjesinë e nxjerrjes së kokërdhokëve të syrit jashtë si “nxjerrja e një pjese të trupit tim.”
Teksa performon hilen e tij, de Carvalho Mesquita thotë se humbet për disa sekonda aftësinë për të shikuar, ndërsa shton se mund të mbajë jashtë kokërdhokët e syve për 20 deri në 30 sekonda çdo herë.
Por De Carvalho Mesquita ka dhe talente të tjera teksa performon si baterist, DJ, dhe nganjëherë vishet e imiton anëtarë të familjes së frikshme Addams të filmave.
Por atij i duhet të punojë gjithashtu me shitjet dhe ka një kompani të shpërndarjes së hamburgerëve të quajtur Tio Chico’s Burger.
Ai shton se shumicën e kohës së lirë e kalon me mbështetësen e tij më besnike, bashkëshorten e tij Egly, e cila thotë se e kishte mësuar aftësinë e tij të veçantë vetëm pasi ishin fejuar, edhe atëhere kur rastësisht një shok i kërkoi me shaka ‘të nxirrte kokërdhokët.’
Megjithse duket e pabesueshme, ka pasur një rekord të mëparshëm për nxjerrjen e kokërdhokëve të syrit, që mbahej nga një grua amerikane e cila mund t’i zhvendoste përpara deri me 12 mm. Kim Goodman, ka mbajtur rekordin e mëparshëm prej nëntorit 2007.
Top Channel