Vrasja e dyfishtë në vitin 2020, dënohen autorët: Eduart Lamaj burgim të përjetshëm dhe Ilir Likaj 33 vite

18/10/2022 16:04

Gjykata e Kurbinit ka dënuar me burgim të përjetshëm Eduart Lamajn dhe me 33 vite burg Ilir Likaj (Xhepaj).

Ata u konstatuan fajtorë për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në një lokal në Gjorm të Kurbinit.

Si ndodhi ngjarja: 

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji që humbën jetën nga atentati kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur u sulmuan. Ata po pinin kafe në momentin që u qëlluan me breshëri plumbash.

37-vjeçari Bujar Lika, vdiq në vend nga plumbat, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua.

Mëngjesin e 31 majit u konfirmua se 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t’u rezistojë plagëve që mori nga plumbat duke ndërruar jetë.

Bujar Lika rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg.

Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra në Kurbin morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.

Top Channel