2 viktima nga atentati në Kurbin! Një ditë më pas, gjurmët e plumbave në fasadën e hotelit (video)

31/05/2020 10:46

Ka shkuar në 2 numri i viktimave nga atentati që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kurbin, ndërsa Top Channel iu sjell dhe pamje nga vend ngjarja një ditë më pas.

Bujar Lika, 37 vjeç, vdiq në vend nga plumbat, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua. Mëngjesin e sotëm u konfirmua se 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t’u rezistojë plagëve që mori nga plumbat duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve.

Ndërkohë që i plagosuri tjetër Kreshnik Tusha ndodhet në spitalin e Traumës.

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji që humbën jetën nga atentati kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur u sulmuan. Viktima Bujar Lika është gjetur me armë në dorë ndërsa burime bëjnë me dije se ai ka qëlluar deri sa i janë mbaruar fishekët.

Bujar Lika rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg. Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmë morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.

Ndërkohë Top Channel mëson se për ngjarjen në fjalë janë shoqëruar dhjetra persona.

Në fillim dyshohej se autori i kësaj ngjarje të ishte njeri nga personat e plagosur por burime bëjnë me dije se pas kontrollit të kamerave të sigurisë policia ka dalë në konkluzionin se asnjëri nga personat e përshirë në ngjarje nuk është autori vrasjes.

Top Channel