UNICEF: Shtohen të varfrit në Kosovë dhe Shqipëri, ndikoi kriza e shkaktuar nga lufta

18/10/2022 13:53

Më shumë se 35 mijë shqiptarë pritet që ti shtohen numrit të të varfërve në vend si rrjedhojë e ndikimit që do të ketë lufta në Ukrainë në ecurinë ekonomike të vendit.

Ndërsa për Kosovën, shifra është akoma më e lartë dhe arrin në 41.450 persona. Shifrat janë publikuar në raportin e fundit të UNICEF për pasojat e luftës në varfërinë e fëmijëve, ku Shqipëria dhe Kosova kanë vlerësimin më të lartë për popullsinë që do të bjerë në varfëri nw rajon.

nga 35.413 persona që do të bien në varfëri në Shqipëri, rreth 9 mijë prej tyre janë fëmijë. Kjo rritje e varfërisë për rreth 6 mijë fëmijë do të përkthehet në 743 vite të humbura shkollimi, vlerëson UNICEF

Pasojat e varfërisë së fëmijëve shkojnë shumë përtej vështirësive financiare të familjeve: sa më e varfër të jetë një familje, aq më e madhe është përqindja e të ardhurave të shpenzuara për nevojat bazë, si ushqimi dhe karburantet.

Dhe kur kostoja e nevojave themelore rritet, paratë e disponueshme për nevoja të tjera si shëndetësia dhe arsimi ulen.

Si rezultat, fëmijët më të varfër kanë më pak gjasa të kenë akses në shërbimet thelbësore dhe janë më të prekshëm ndaj dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit, thotë agjencia e OKB-së.

Raporti i UNICEF thotë se lufta në Ukrainë, dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e saj, ka zhytur miliona fëmijë të tjerë në varfëri në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në muajt e fundit.

Top Channel