Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shqyrtojnë seriozisht propozimin franko-gjerman për procesin e dialogut, duke shtuar se është mundësia më e mirë që mund të kenë.
Megjithëse, Qeveria e Kosovës nuk e ka thënë asnjë fjalë për përmbajtjen e këtij propozimi, në vend pritet që të jetë në agjendën e takimit të radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit.
Njohësit e dialogut thonë që Qeveria duhet të shpalosë përmbajtjen e këtij propozimi dhe qasjen karshi tij.
Propozimi që kanë nxjerrë këshilltarët e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, parasheh që brenda vitit 2023 Kosova dhe Serbia do nënshkruajnë një marrëveshje për normalizim, derisa ajo finalja, me njohje reciproke, do nënshkruhet brenda 10 vjetësh, por Serbia nuk obligohet ligjërisht ta njohë Kosovën.
Nëse arrihet kjo marrëveshje e normalizimit atëherë Kosovën e njohin pesë shtetet anëtare të BE-së dhe Serbia përfiton ndihma financiare.
Top Channel