Pamjet e rënda kur xhandarët turq tërheqin zvarrë emigrantët në kufi, mes tyre gra e fëmijë!

18/10/2022 18:12

Një tjetër rast dhune ndaj emigrantëve që tentojnë të kalojnë mes kufirit turko-grek është publikuar në rrjetin social “Telegram”.

Pamjet tregojnë dhunën ekstreme që ushtrojnë xhandarët turq ndaj një grupi emigrantësh shumë pranë kufirit grek.

Xhandarët nuk nguruan të dhunojnë as gratë, ndërsa skena zhvillohet në sytë e fëmijëve të mitur. Ky është rasti i dytë i dokumentuar brenda dy ditëve, kur organet turke të rendit dhunojnë emigrantë.

Dy ditë më parë një grup emigrantësh u gjet në kufi totalisht i zhveshur. Emigrantët thanë se ishin dhunuar dhe më pas ishin zhveshur tërësisht dhe braktisur në kufi prej rojeve turke të kufirit.

Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë po përshkallëzohen për shkak të një numri mosmarrëveshjesh territoriale në Detin Egje dhe në Mesdhe.

Në Athinë, ka shqetësime se migrimi mund të jetë fronti i fundit në tensionet dypalëshe. Dy vjet më parë, një krizë emigrantësh përgjatë kufirit shpërtheu pasi Ankaraja deklaroi kufirin e saj me Greqinë të hapur për katër milionë refugjatët në territorin e saj.

Top Channel