Propozimi francez, i prezantuar gjatë takimit të grupit të punës për vizat në Këshillin e BE-së të mbajtur në 13 tetor, që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS, u konsiderua i papranueshëm nga autoritetet në Prishtinë.
Ky sistem digjital synon regjistrimin e vizitorëve që hyjnë nga jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Normalisht, ai duhet të hynte në funksion këtë vit, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat i fundit përmendet nëntori i vitit 2023.
Nëse propozimi do të pranohej, kjo do të nënkuptonte një tjetër shtyrje të gjatë te liberalizimit të shumëpritur të vizave në Kosovë. Por duket se kërkesa franceze, për momentin, nuk është më shumë se kaq.
Sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev, asgjë nuk është përfundimtare pasi Këshilli i BE-së mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin. Kushtet shtesë, Franca i justifikon me idenë së se synon forcimin e BE-së. Ajo, sipas Bechev, po e përdor zgjerimin për të nxitur rishikimin e politikave brenda bllokut.
Edhe pse ideja e Parisit u mbështet hapur nga Belgjika e Spanja, vende si Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e shqyrtuar ndërsa Gjermania ka dalë hapur kundër propozimit, dhe presioni i mundshëm i Gjermanisë mund të ndikojë mbi qëndrimin e Francës, pasi ka mjaft ndikim në këtë çështje, duke marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e saj gjeografike.
Top Channel