Të paktën tri shpërthime janë dëgjuar të hënën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pas aktivizimit të sirenave.

Kryetari i qytetit, Vitalii Klitschko, ka thënë se janë dëmtuar ndërtesat e banimit në zonën Shevçenkivsky.

Andriy Yermak, shefi i Zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet janë kryer me të ashtuquajturit dronë kamikazë.

Këto sulme raportohen një javë pasi kryeqyteti ukrainas është goditur me një mori raketash ruse, duke lënë të vdekur të paktën 19 persona.

Shpërthimet e së hënës janë regjistruar rreth orës 07:00, sipas kohës locale.

Klitschko u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë nëpër streha të sigurta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmet e javës së kaluar kanë qenë hakmarrje për bombardimin e Urës së Krimesë – e vetmja që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.

Putin e ka akuzuar Ukrainën për këtë sulm, mirëpo Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Moska e ka aneksuar Krimenë më 2014.

Sulmet e javës së kaluar kanë shënuar herën e parë kur është goditur drejtpërdrejt qendra e Kievit.

Javën e kaluar, Putin ka thënë se nuk ka më nevojë për sulme të shkallës së gjerë në Ukrainë.

Sipas tij, shumica e shënjestrave janë shkatërruar dhe se qëllimi i tij nuk është që të shkatërrojë Ukrainën.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel