Prokurorët kërkojnë 6 muaj burg për Steve Bannon, aleatin e ngushtë të ish-presidentit Trump

17/10/2022 22:45

Departamenti i Drejtësisë tha të hënën se Steve Bannon, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, duhet të vuajë një dënim me gjashtë muaj burg e të paguajë një gjobë prej 200,000 dollarësh, pasi refuzoi thirrjen e komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021.

Sipas prokurorëve federalë zoti Bannon minoi përpjekjet për të zbardhur ngjarjen.

“Ata që sulmuan Kapitolin (ndërtesën e Kongresit amerikan) më 6 janar nuk sulmuan vetëm një ndërtesë, por ligjit mbi të cilin u ndërtua ky institucion”, shkruajnë prokurorët sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë.

Avokatët mbrojtës të zotit Bannon nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment drejtuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”. Avokati i tij, David Schoen, ka thënë se çështja do të hidhet poshtë në apel.

Kërkesa e Departamentit të Drejtësisë u publikua pasi komisioni ndërmori hapin e jashtëzakonshëm javën e kaluar për të thirrur vetë ish presidentin Trump, diçka që anëtarët thanë se ishte e nevojshme për të kuptuar në tërësi ata cka ndodhi më 6 janar. Mbetet e paqartë se cfarë qëndrimi do të mbajë zoti Trump, por refuzimi për të dëshmuar mund të krijojë mundësinë për një proces të ngjashëm në gjykatë sikurse ndodhi me zotin Bannon, ndonëse rasti ndaj një ish-presidenti do të ishte një proces i paprecedentë dhe i mbushur me tensione.

Steve Bannon do të dënohet të premten për dy akuza, për refuzim për të dëshmuar nën betim, si dhe refuzim të ofrimit të dokumenteve. Komisioni kishte kërkuar dëshminë e zotit Bannon lidhur me përfshirjen e tij në përpjekjet e ish-presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ai fillimisht tha se mos pranimi i tij për të dëshmuar mbrohej nga privilegji ekzekutiv që gëzon sipas tij ish-presidenti Trump, por komisioni e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se zoti Banon në atë kohe nuk punonte në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte shkarkuar nga detyra në vitin 2017 dhe bisedat me ish presidentin, në periudhën deri tek sulmi i 6 janarit 2021, i kishte bërë si qytetar privat.

Avokatët mbrojtës argumentuan se zoti Bannon nuk kishte refuzuar të bashkëpunonte me komisionin hetimor, duke u arsyetuar se ai e kishte ndryshuar kursin pak përpara se të fillonte procesi gjyqësor ndaj tij.

Por sipas prokurorëve gatishmëria për të dëshmuar u bë me kushte duke përfshirë pushimin e çështjes penale kundër tij. Kur u bë e qartë se kjo kërkesë nuk do të pranohej, mundësia e bashkëpunimit u zbeh, thuhet në procesverbalet gjyqësore.

Zoti Bannon u dënua pas një procesi katër-ditor në muajin korrik. Kur doli nga gjykata, ai e krahasoi gjyqin me një betejë dhe tha “ne nuk do ta humbasim luftën”. Ai i quajti anëtarët e komisionit “frikacakë”.

Kjo nuk ishte hera e parë që ai përçmon komisionin duke përdorur gjuhë “të ekzagjeruar dhe ndonjëherë të dhunshme” në konferencat e shtypit dhe në emisionin e tij “Dhoma e Luftës”, shkruanin prokurorët.

“Ai vazhdon të fshehë në mënyrë të paligjshme dokumente dhe dëshmi që mund të ndihmojnë hetimin, për të arritur në zbardhjen e asaj që çoi në sulmin e 6 janarit e për të përcaktuar se çfarë hapash duhet të ndërmerren për të garantuar që kjo gjë të mos ndodhë më kurrë”./VOA

Top Channel