Sapo ka ankoruar më datë 16 tetor, në orën 15:00, në portin e Durrësit anija-shkollë italiane “Amerigo Vespucci”, anija e mrekullueshme me vela që, prej vitit 1931, është një ndër perlat e Marinës Ushtarake italiane.
E ndërtuar në vitin 1931 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija Amerigo Vespucci ka edukuar breza të tërë oficerësh, duke realizuar më shumë se 70 fushata edukimi nëpër botë. Madje, në vitin 2018, ka shkuar edhe në Rrethin Arktik.
Anija vjen në Shqipëri në kuadër të veprimtarisë së rëndësishme të “diplomacisë detare” e cila përkon me përmbylljen e fushatës së edukimit 2022, veprimtari e cila, për Ministrinë e Mbrojtjes italiane, është e një rëndësie të veçantë.
“Këtë verë, veliera më e bukur në botë ka ndërmarrë një fushatë për Akademinë e Marinës. Në vazhdimësi të simpoziumit marinat tona kanë vendosur të bashkohen në Durrës dhe të sjellin në këtë qytet mahnitës këtë velierë të mrekullueshme si simbol i diplomacisë.”- tha Federico Messini.
Anija Vespucci do të qëndrojë në portin e Durrësit më 19 tetor. Janë të shumta veprimtaritë që parashikohen të zhvillohen gjatë këtyre tre ditëve. Ajo është cilësuar si anija më e bukur në botë.
“Nuk kemi qenë ne që i kemi vënë këtë emër. në vitet 60 takuam anijen luftarake amerikane USS porter në detin mesdhe dhe në një shkëmbim komunikimesh me drita tha “Ju jeni anija më e bukur në botë”. Këtë vit pikërisht në detin adriatik një tjetër anije amerikane na takoi dhe pas 60 vitesh ka konfirmuar që anija Vecpucci është ende anija më e bukur në botë.”- tha Luigi Romagnoli, komandanti i anijes.
Por si është të jetosh në bordin e kësaj veliere të mrekullueshme?
“Është një jetesë e bukur, por shumë impenjative. Sepse të qënit e një anije 91-vjeçare ka nevojë për shumë mirmbajtje. Kështu që çdo ditë i gjithë ekuipazhi angazhohet për ta mbajtur në gjendje perfekte. Si nga ana efiçente ashtu edhe nga bukuria.”- tha Luigi Romagnoli, komandanti i anijes
Anija do të jetë e hapur për vizitat e publikut. Ajo u ndërtua sipas një modeli të vitit 1700. Ka 2700 metër katror vela. Për një udhëtim rreth globit i duhen 18 muaj dhe e ka bërë këtë dy herë në jetën e saj 91-vjeçare.
Top Channel