Sipas autoriteteve iraniane numri i viktimave në burgun Evin në Teheran ka arritur në tetë. Rasti, megjithatë, mbetet ende i pasqaruar se si burgu famëkeq, ku mbahen edhe të dënuar politikë, u përfshi nga flakët.
Sot, në Luksemburg Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Masat e reja nga blloku evropian vijnë si pasojë e shtypjes së protestave që u nxitën nga vdekja e një gruaje 22 vjeçare pasi u arrestua nga policia e moralit të republikës islamike. Irani ndërkaq ka akuzuar perëndimin se po ndërhyn në punët e brendshme të vendit.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian po takohet në Luksemburg ku zhvillimet në Iran janë një nga pikat e diskutimeve.
Ministrat kanë njoftuar për masa të reja kundër 15 iranianëve të përfshirë në shtypjen që qeveria e filloi muajin e kaluar kundër demonstruesve të indinjuar nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.
“Do të ketë ndalim udhëtimi për ata që janë përgjegjës për vdekjen e shumë njerëzve në Iran që demonstuan për të drejtat e tyre. Do të ketë gjithashtu një ngrirje të pasurisë dhe nëse ky regjim vazhdon të shtypë njerëzit e tij në këtë mënyrë, do të ketë sanksione të tjera”, tha kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.
Ditë më parë presidenti Joe Biden gjithashtu foli për protestat në Iran gjatë vizitës në një kolegj në Kaliforni duke shprehur besimin se demonstratat do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.
“Unë jam marrë me politikë të jashtme për një kohë të gjatë. Më ka habitur reagimi që shkaktoi vdekja e Mahsa Aminit në Iran. Është nisur diçka që nuk mendoj se do të qetësohet për një kohë të gjatë”, tha presidenti amerikan.
Ndërkaq, ende nuk dihet se si burgu famëkeq Evin në Teheran u përfshi nga flakët ku sipas të dhënave të fundit zyrtare kanë humbur jetën tetë të burgosur. Agjencia “Associated Press” njofton se pas analizimit të fotove satelitore, zjarri që dogji një pjesë të burgut ku mbahen edhe të burgosurit politikë iranianë, dëmtoi një nga ndërtesat më të mëdha të kompleksit.
“Sa i përket incidentit që ndodhi në burgun e Evinit, fatkeqësisht disa qeveri evropiane dhe ajo amerikane kishin të njëjtën qasje që kishin ndaj ngjarjeve të fundit në Iran, domethënë mbajtën qëndrime të pabaza, spekuluan, u nxituan dhe ndërhynë në punët tona”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Nasser Kanaani.
Megjithatë, videot në internet tregojnë skena kaotike me flakët që ngrihen nga kompleksi, të shtëna armësh zjarri që dëgjohen qartë si dhe njerëzit që thërrasin: “Vdekje Khameneit” dhe “Vdekje diktatorit!”/VOA
Top Channel