92 emigrantë u gjetën të zhveshur në Evros, Greqia akuzon Turqinë: Do të çojmë në OKB dhe BE incidentin

17/10/2022 20:23

Greqia do të çojë në OKB dhe BE incidentin me 92 emigrantët e zhveshur në Evros ka deklaruar mëngjesin e së hënës Ministri i Emigracionit dhe Azilit Notis Mitarakis i cili ka kritikuar ashpër Turqinë për këtë ngjarje, pamjet e operacionit të shpëtimit të së cilës, kanë bërë xhiron e medieve greke e të huaja.

Sipas Mitarakis, Turqia tashmë ndodhet në një pozicion shumë të vështirë pasi 92 emigrantët janë gjetur nga vetë rojat e Agjencisë Europiane të Kufirit, Frontex,që ka konfirmuar incidentin. Gjithashtu vetë emigrantët dëshmuan, sipas ministrit, që i kanë sjellë në kufi dhe i kannë zhveshur, forca të policisë ushtarake turke.

Sipas zëdhënësit të qeverisë greke, Mitarakis ka vënë në dijeni OKB dhe BE dhe javën e ardhshme do të shkojë vetë në Nju Jork për të denoncuar instrumentalizimin e çështjes së emigracionit nga pala turke me fotografi dhe video që vërtetojnë këtë incident.

“Kjo sjellje çnjerëzore është një turp për qytetërimin dhe udhëheqja e Turqisë, në vend që të fajësojë të tjerët për ngjarje të paimagjinueshme brenda territorit të saj, duhet të hetojë incidentin dhe të ndëshkojë ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt si dhe të përmbushë detyrimet e saj që dalin nga Deklarata e Përbashkët me BE-në”

Në fillim pala turke nëpërmjet drejtorit të komunikimit të presidencës turke, Fahrettin Altun, akuzoi Athinën për “fake news” dhe sulmoi personalisht ministrin e Emigracionit dhe Azilit dhe në vazhdim, në të njëjtën gjatësi vale kanë qenë edhe deklaratat e ministrit të jashtëm turk Cavusoglu që ka thënë se « tashmë dihet që Greqia shkel të Drejtën Ndërkombëtare dhe shpif për Turqinë».

Në të njëjtën kohë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit Takis Theodorikakos ka ka njoftuar komisioneren kompetente dhe do të denoncojë zyrtarisht Turqinë tek 27 homologët e Greqisë në BE, ndërsa kryediplomati grek Nikos Dhendias e ka shtruar çështjen në fjalë në tryezën e ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg mëngjesin e së hënës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka deklaruar se është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet dhe pamjet shokuese” dhe bën thirrje për një hetim të plotë të incidentit, duke përmendur në njoftimin e saj trajtimin mizor dhe poshtërues të tyre të cilin e dënon.

Top Channel