Zbulohen identitetet e agjentëve sekretë australianë nga hakerimi i të dhënave të qeverisë kolumbiane

15/10/2022 18:00

Identitetet e agjentëve sekretë që punojnë për Policinë Federale Australiane (AFP) janë publikuar pasi hakerat vodhën dokumente të qeverisë kolumbiane.

Rrjedhja vjen nga një grup hakerësh i quajtur Guacamaya dhe përfshin më shumë se pesë terabajt të dhëna të klasifikuara, duke përfshirë email, dokumente dhe metoda që agjentët e AFP-së po përdornin për të ndaluar kartelet e drogës në Australi.

Detajet e ekspozuara në këtë mënyrë janë nga 35 operacione të AFP-së, disa prej tyre ende aktive, dhe përfshijnë gjithashtu raportet e mbikëqyrjes nga agjentët, regjistrimet e përgjimeve të telefonit dhe të dhënat e listës së pagave për oficerët kolumbianë.

AFP nuk është e vetmja agjenci e zbatimit të ligjit që bashkëpunon me qeverinë kolumbiane, kështu që agjencitë e policisë nga vendet e tjera mund të preken, sipas bleepingcomputer.com.

AFP konfirmoi ekspozimin për “The Sydney Morning Herald”.

“AFP është e shqetësuar për shkeljet e mundshme të sigurisë operacionale si pasojë e kësaj.  AFP po punon me partnerët tanë në rajonet e prekura për të zbutur çdo kërcënim të mundshëm për sigurinë e njerëzve ose hetimeve në vazhdim”, tha Policia Federale Australiane.

Hakerat e Guacamaya

Guacamaya e përshkruan veten si një grup hakerësh që lufton kundër regjimeve represive dhe të korruptuara në Amerikën Latine.

Në shtator, Guacamaya njoftoi se kishte ndërhyrë në  shumë agjenci shtetërore, ushtarake dhe ligjzbatuese të Amerikës Latine dhe i kishte ndarë të dhënat me një faqe lajmesh denoncuese.

Faqja ndau disa të dhëna me publikun e gjerë dhe ua ofroi të gjitha informacionet gazetarëve.

Megjithatë, nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar nëse hakerët e kanë shpërndarë rrjedhjen e informacioneve me palët e tjera.

Midis faqeve të hakërruara janë Forcat e Armatosura Kiliane, Ushtria Peruane, Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura të Perusë, Forcat e Armatosura të El Salvadorit, Policia Civile Kombëtare e El Salvadorit, Sekretariati i Mbrojtjes Kombëtare të Meksikës dhe Komanda e Përgjithshme të Forcave Ushtarake të Kolumbisë.

Hakerimi që komprometoi AFP-në synoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë, një partner i AFP-së që mundësoi kryerjen e operacioneve të fshehta në Australi për të luftuar trafikun e drogës dhe kanalet e importimit.

Top Channel