Përmbytje katastrofike në Greqi, një i vdekur e dy të zhdukur/ Por në Itali, “i nxehti bën bis”

15/10/2022 16:18

Shira të dendur, përmbytje e dëshpërim: moti i keq ka pllakosur ishullin e Kretës dhe të gjithë Greqinë perëndimore.

Një person ka humbur jetën prej vërshimit të ujërave të një përroi në afërsi të Heraklios, që morën me vete makinën e drejtuar prej tij.

Në automjet kanë qenë edhe dy turistë, por prej tyre nuk ka ende asnjë shenjë, ndërsa ekipet e shpëtimit janë vënë në kërkimin e tyre.

Ende nuk njihet kombësia dhe identiteti i tre personave në fjalë. Reshjet e shiut kanë dëmtuar disa ura dhe muret mbajtëse të një sërë banesash në zonë, ndërsa janë përmbytjet edhe me dhjetëra dyqane. Autoritetet flasin për dëme katastrofike.

Meteorologët kishin njoftuar për stuhi të dhunshme në veriperëndim të vendit, por edhe në jug, nga Korfuzi, Peloponezi e deri në Kretë.

Teksa qeveria ka vënë në alarm të gjithë mekanizmat e saj pritet që mot i keq të vazhdojë edhe për dy ditët e ardhshme.

Ndryshe paraqitet ndërkohë situata në Itali, ku mediat flasim për një “Bis” të tetorit. Pas stuhive që u përplasën në jugun e vendit, ciklonit tropikal nga Tirreni në detin Jon, rrufetë e përmbytjet në Sicili, moti i keq në fqinjin tonë përtej Adriatikut duket se po jep goditjet e fundit përpara se gjithçka të ndryshojë. Antonio Sanò, Drejtor dhe Themelues i faqes së internetit iLMeteo.it, parashikon mbërritjen e disa ditëve të ngrohta, të cilat do të rikthejnë praktikisht, sipas tij, fazën e parë me diell që u regjistrua mes datës 2 dhe 10 tetor.

Nga fundjava, llogaritet një rikuperim i fortë i situatës nga anticiklonet e Afrikës Veriore, që siç thotë Sano duhet të sjellë për ca kohë, diell dhe vapë. Për të parën herë, ky bis i tetorit do të jetë i jashtëzakonshëm, sepse do të shënojë një periudhe me dy faza të gjata të ngroha e të qëndrueshme.

Tetori është në fakt një nga muajt më të lagësht dhe më të paqëndrueshëm të vitit, dhe nëse ky parashikim do realizohet vërtet, atëherë, të paktën sipas Antonio Sanos, nga 31 ditë që ai ka, 20 deri në 25 mund të jenë të thata e të ngrohta.

Temperaturat pritet të jenë mjaft të larta në të gjithë Europën me vlera 8-10°C mbi mesataren në Francë e Gjermani, e  6-7 gradë Celsius në Itali.

Top Channel