“Tërmet” në qeverinë britanike/ Ministri i Financave “kurban” i taksave

14/10/2022 20:02

As te 40-at nuk i mbushi si ditë Ministri i ri britanik i Financave i cili bashkë me kryeministren që pasoi Boris Johnson hartuan programin ekonomik të qeverisë së tyre i cili po rezulton katastrofik për financat e Britanisë dhe britanikëve të thjeshtë.

Pas disa tërheqjesh poshtëruese të politikave të saj fiskale që kanë çuar në rënien e stërlinës, në rritjen e pagesave të kredive bankare imobilare të britanikëve dhe rreziqet e shumta për fondin e pensioneve të britanikeve,  Liz Truss rrezikon të jetë kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Britanisë.

Në një konferencë shtypi  8 minutëshe, Liz Truss nuk kërkoi ndjesë, as bëri mea culpa, si për politikat e saj katastrofale, as për dhimbjen shkaktuar britnanikëve të thjeshtë, e cila shihet si një arrogancë e paprecedentë , ç’ka mund t’i shkurtojë ditët e saj si kryeministre.

Kjo është kriza me e thellë e konservatorëve britanik të qendrës së djathtë, të cilët ndodhen mbi 20 pikë në sondazhet e opinionit publik, pas laburistëve të opozitës , diferencë e mjaftueshme për humbje të thellë.

Dhe kjo është arsyeja që deri më tani deputetët e saj në parlament nuk kërkojnë bërjen e zgjedhjeve të reja të parakohme të cilat do duhet të bëhen normalisht pas dy vjetësh pasi riskojnë të pësojnë një nga humbjet më spektakolare në historinë e partisë së tyre.

Dhe kjo ndodh më pak se dy vjet nga fitorja e tyre po  aq spektakolare në zgjedhjet e fundit.

Konservatorët sipas sondazhit më të fundit shokues, të publikuar  sot  besojnë se kanë bërë zgjedhjen e gabuar kur përzgjodhën Liz Truss krahasuar rivalin e saj, me ish-Ministrin e Finanaceve Rishi Sunak,me origjinë indiane, dhëndrin e një miliarderi.

Në një kronikë gjatë garës për kryeministrin e ri patën thënë se mes të dyave do preferoje Rishi Sunak pasi në kohë trubulencash  avioni më mirë do të jetë ta drejtojë një pilot se sa një stjuardesë. Dhe ja ku jemi.

Çdo lëvizje e detyruar e Liz Truss sot, sipas analistëve mund të mos jetë e mjaftueshme dhe java e ardhshme do jetë kritike për mbijetesën e saj politike në postin e kryeministres, nëse konservaotorët do duhet të shmangin një humbje poshtëruese në zgjedhjet e reja të cilat po i kërkojnë me forcë gjithnjë e më shumë britanikë, që po vuajnë politikat e një partie që ka humbur  reputacionin e një partie që dinte ta administronte ekonominë.

Top Channel