Drejtoresha e përgjithshme e AKSH Linda Karçanaj bashkë me ekipin e saj u vunë përballë anëtarëve të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare në një dëgjesë shpjeguese për sulmet kibernetike të tre muajve të fundit.
Zonja Karcanaj dha këtë shpjegim se përse kjo dëgjesë duhet të jetë me dyer të mbyllura.
“Kam një raport që do ta vë në dispozicion që përmban informacion sekret dhe tepër sekret”.
Megjithëse u pajtua me këtë kërkesë, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferi bëri këtë koment:
“Hakeri më i madh është korrupsioni”!
Ndërsa Enkelejd Alibeaj solli argumentet e tija se përse kjo seancë, pjesërisht duhet të ishte e hapur për publikun.
“Nga kjo seancë duhet të jepeshin sinjale qetësie apo realizmi për çfarë mund të prekë në të ardhmen publikun. Kemi detyrim që publiku ta bërë pjesë të kësaj çështjeje”.
Për mos të dekonspiruar sekretet e AKSH për këto sulme, seanca vijoi me dyer të mbyllura madje edhe pa telefonat celularë të anëtarëve të këtij komisioni.
Kjo është hera e dytë që drejtoresha e AKSH flet për dinamikën e këtyre sulmeve. Disa javë pas valës së parë të ofensivës kibernetike të Iranit, drejtoresha Linda Karçanaj bashkë me zv .kryeministren Balluku dhe një ekspert të Microsoft shpjeguan për publikun natyrën dhe qëllimin e sulmit që ishte fshirja e të gjitha të dhënave në serverat qeveritar.
Top Channel