Evropa është përballur me ulje të shkallës së lindjeve për 14 për qind në janar të vitit 2021, në krahasim me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara.
Kjo ulje besohet se është nxitur nga vala e parë e pandemisë së koronavirusit, sipas gjetjeve të reja, të publikuara në revistën shkencore, Human Reproduction.
Në janar të vitit 2021 janë bërë nëntë deri në dhjetë muaj pas vendosjes së kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Izolimet e gjata kanë rezultuar me më pak shtatzëni, dhe ky trend është vërejtur më shumë në shtetet që kanë probleme në sistemin e tyre shëndetësor.
Lituania dhe Rumania kanë përjetuar rënien më të ulët – 28 dhe 23 për qind, respektivisht – derisa Suedia, e cila nuk ka zbatuar masa izolimi, ka regjistruar shifra normale të lindjeve.
Sipas hulumtuesve, këto gjetje mund të rezultojnë me “pasoja afatgjata në demografi, sidomos në Evropën Perëndimore, ku po plaket popullata”.
“Sa më të gjata izolimet, më pak shtatzëni janë regjistruar në këtë periudhë, madje edhe në shtetet që nuk janë prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit”, ka thënë mjeku Leo Pomar, autor i studimit.
“Ne mendojmë që shqetësimet e çifteve për krizën shëndetësore dhe sociale në kohën e valës së parë të pandemisë kanë kontribuar në uljen e numrit të lindjeve nëntë muaj më vonë”.
Megjithatë, në mars të vitit 2021, numri i lindjeve është kthyer në nivelet para-pandemisë, por nuk i ka kompensuar shifrat e dy muajve më parë.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL
Top Channel