Vdekjet e minatorëve në Bulqizë/ Çupi: Gjaku i tyre po derdhet për të mbushur xhepat e biznesmenëve, pse nuk dënohen përgjegjësit?

13/10/2022 13:05

Katër minatorë kanë humbur jetën brenda këtij viti në minierat e Bulqizës. Deputetja demokrate, Dhurata Çupi, duke folur për rastet tragjike dhe pasigurinë e punës në miniera, kërkon hetime dhe dënime për personat përgjegjës.

Gjaku dhe djersa e njerëzve të ndershëm të Bulqizës derdhet çdo ditë për të mbushur xhepat e biznesmenëve dhe politikanëve të Tiranës, tha deputetja në fjalën e saj në Kuvend.

Shteti duket se i ka harruar ata qytetarë, të cilët çdo ditë ndahen nga fëmijët e tyre, pa qenë të sigurtë se do t’i shohin përsëri dhe i janë nënshtruar arrogancës së biznesmenëve që përfitojnë nga pasuritë kombëtare në kurriz të njerëzve të urtë e punëtorë.

Kushtet e punës dhe trajtimi financiar i tyre është jo vetëm skandaloz, por anti-ligjor dhe kriminal. Inspektoriatet e pafundme të shtetit që nuk lënë biznes të vogël e të ndershëm pa i trokitur në derë, i kanë mbyllur sytë përballë trajtimit mizor, arbitrar dhe abuziv që iu bëhet minatorëve të Bulqizës.

Policia dhe Prokuroria, herë nga paaftësia, herë nga korrupsioni, e herë nga mosdëshira, i mbyllin dosjet e minatorëve akoma pa i hapur, nën diktatin e të fortëve, kriminelëve, pushtetarëve dhe parave të pista”.

Çupi listoi publikisht disa pyetje për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë:

Sa është numri i aksidenteve me pasojë vdekjen në minierat e qarkut Dibër për periudhën 01.01.2021 – 30.06.2022?

Sa është numri i kallëzimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?

Sa është numri i procedimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?

Sa është numri i personave që iu atribuohet vepra penale/nën hetim/të pandehur, në kuadër të procedimeve penale të mësipërme?

Sa është numri i procedimeve penale për të cilat është kërkuar pushimi i çështjes dhe çështjeve të dërguara për gjykim?

Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi fajtor dhe dënimi i të pandehurve?

Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi i pafajshëm të të pandehurve?

Sa është numri i çështjeve që aktualisht janë nën hetim nga ana e Prokurorisë?

Dy ditë më parë, në Zonën e Parë në një nga galeritë private në minierën e Bulqizës, një 52-vjeçar, i cili punonte si zjarrmëtar ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse.

Vetëm për vitin 2022 kanë ndërruar jetë në miniera 4 minatorë. Sipas informacioneve janë mbi 15 të plagosur rëndë gjatë aksidenteve në galeri për 2022-shin.

Kujtojmë se më 22 shtator, ngatërrimi i kavove të dy ashensorëve që shërbejnë për transportin e minatorëve dhe ai i transportimit të kromit rrezikoi jetën e minatorëve të turnit të tretë dhe të pare. Ngjarja ka ndodhur ne minierën e madhe AlB-Chrome në pusin nr1. Është dashur ndërhyrja e avari shpëtimit të cilët erdhën me urgjencë nga Tirana për të nxjerrë minatorët.

Ndërsa në korrik, dy raste aksidentesh ndodhën brenda një jave, ku njëri prej tyre rezultoi tragjik. Minatori Maksim Beça u plagos rëndë gjatë punës dhe u dërgua me urgjencë me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë. Por 52-vjeçari me iniciale S.D. nuk arriti t’i  mbijetonte plagëve gjatë aksidentit në punë.

Në maj të këtij viti minatori Besim Toska u plagos rëndë në këmbë ndërsa punonte në minierën “Alb Chrom” në Bulqizë. Ai punonte si manovrues vagonash dhe me makinerinë lapatë-ngarkuese të vagonëve.

Gjithashtu po këtë vit, në muajin mars ndërruan jetë dy minatorë, ndërsa punonin në galerinë e kromit në Tropojë. Ata ishin Adil Dauti, 41 vjeç dhe Afrim Zhutaj, 40 vjeç, të dy banues në Tropojë.

Top Channel