NATO-ja e pohoi se vendet e saj janë duke marrë masa për forcimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulme të mundshme ruse.
Shtetet anëtare kanë nisur rritjen e sigurisë rreth objekteve të veçanta, ndërsa po insistohet për një “përgjigje të bashkuar dhe të vendosur” në kohën kur organizata, sikurse thotë, është duke vëzhguar nga afër forcat bërthamore të Moskës. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg u përpoq të mos krijonte panik duke thënë se në fakt, nuk kanë parë ndonjë ndryshim në pozicionin nuklear të Rusisë. Por pavarësisht kësaj, aleanca do të vazhdojë të mbetet vigjilente dhe javën e ardhshme, nis një stërvitje të gatishmërisë bërthamore.
“Tani është momenti i duhur për të qenë të vendosur dhe për të qenë të qartë se NATO do të mbrojë të gjithë aleatët. Do të ishte një sinjal shumë i gabuar nëse për shkak të luftës në Ukrainë ne do të anulonim befas një stërvitje rutinë, të planifikuar prej kohësh”.
Komentet e tij i referoheshin stërvitjes së përvitshme, “Steadfast Noon”, në të cilën forcat ajrore të NATO-s praktikojnë përdorimin e bombave bërthamore të SHBA-së me bazë në Europë me fluturime stërvitore, pa armë aktive. NUmri një i aleancës insistoi se forca ushtarake e NATO-s ishte mënyra më e mirë për të parandaluar çdo përshkallëzim të tensioneve me Rusinë, ndërsa premtoi gjithashtu të shtohet mbrojtja e infrastrukturës kyçe edhe në përgjigje të sulmit ndaj sistemit të gazsjellësve Nord Stream.
NATO-ja e ka dyfishuar këtë periudhë praninë e saj në Detin Baltik dhe atë të Veriut duke e çuar në mbi 30 numrin e anijeve të mbështetura nga avionët dhe aktivitetet nënujore.
Top Channel