Si një ‘gënjeshtër e bardhë’ bëri që Mila Kunis të hedhë hapat e parë të suksesit në aktrim

10/10/2022 20:09

Në një intervistë të bërë së fundmi për ‘Vanity Fair’, aktorja e njohur Mila Kunis konfirmoi se ka gënjyer për moshën e saj në audicionin për serialin “That ‘70s Show”, me të cilin në fakt nisi rrugëtimin e saj në botën e aktrimit, teksa ishte vetëm 14 vjeçe në kohën e xhirimeve.

Nga “Black Swan” te “Friends With Benefits”, Mila ka pasur disa role të mëdha, por ajo mund të mos kishte qenë kurrë aktorja që e njohim sot nëse nuk do të ishte për një gënjeshtër që e kishte thënë në fillim të karrierës së saj.

Kunis, e lindur në vitin 1983, ka aktruar që nga viti 1994, kur u shfaq në një episod të serialit “Days of Our Lives”. Pas kësaj, pati disa role të tjera të vogla, por për publikun u bë e njohur në vitin 1998, kur mori rolin e Jackie në serialin “That ‘70s Show”. Asokohe aktorja ishte vetëm 14 vjeçe kur u shfaq për herë të parë në serial, por për këtë nuk ishin në dijeni autorët e projektit.

Mila ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur kur foli në lidhje me thashethemet se ka gënjyer për moshën e saj. Ajo u shpreh duke thënë:

Dua të jem shumë e qartë tani: gënjeva, në rregull? E bëra.

Kunis, megjithatë, nxitoi të theksojë se gënjeshtra nuk zgjati shumë. Ajo shpjegoi se duhej të nënshkruante një kontratë përpara se të merrte rolin dhe shumë shpejt u zbulua se në fakt ajo ishte vetëm 14 vjeçe, ndërsa pjesa tjetër e kastit ishin më të mëdhenj se personazhet adoleshentë që i luanin. Për fat të mirë, krijuesit e shfaqjes, Bonnie dhe Terry Turner, e kishin pëlqyer shumë performancën e saj, kështu që nuk pati shumë rëndësi kur u mësua për moshën e vërtetë të aktores. Aktorja e përshkroi zanafillën e “That ‘70 Show” si “kohën e lulëzimit të fëmijëve më të mëdhenj që luanin fëmijë më të vegjël”, kur ajo ishte në të vërtetë në të njëjtën moshë me personazhin e Jackie.

Së fundmi aktorja e njohur Mila Kunis e cila ka qenë në listën e 100 njerëzve më me ndikim të këtij viti ka zbuluar ndjesitë e saj kur e mori vesh lajmin. 39-vjeçarja gjatë një paraqitjeje në “The Late Late Show” me James Corden zbuloi se i kërkoi Ashton-it të hynte në Twitter për të kuptuar pse njerëzit po flisnin për të dhe vetëm aty e mësoi se ajo kishte hyrë në listën e revistës prestigjioze “Time”.

Top Channel