
Shpërthime të fuqishme tronditën mëngjesin e sotëm kryeqytetin Kiev, dhe qytete të tjera të Ukrainës, si shpagim me sa duket për goditjen e urës së Krimesë, të cilën presidenti Vladimir Putin e përshkroi si sulm terrorist.
Sulmet e sotme ishin ndër më intensivet që Kiev ka përjetuar që prej fillimit të luftës, ttë tmerruar, banorët nxituan të hynin në vendstrehime, ndërsa shtëllunga gjigante tymi të zi janë parë në disa pjesë të qytetit.
Shpërthime pati edhe në Lviv, Ternopil dhe Zhytomyr ne perëndim të vendit dhe në Dnipro, në qendër të Ukrainës.
“Kryeqyteti është nën sulm nga terroristët rusë. Raketat kanë goditur objekte ne disa zona qendrore të tij. Sirenat e alarmit nuk reshtin, çka tregon se rreziku ende nuk ka kaluar. Rrugët qendrore të Kievit janë bllokuar nga oficerët e zbatimit të rij, shërbimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën”, tha Vitali Klitschko, kryebashkiak.
Shërbimet e emergjencave thonë se ka të vrarë dhe të plagosur, por nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të viktimave. Shpërthimet u dëgjuan rreth orës 08:15, sipas orës lokale, thanë gazetarë e dëshmitarë okularë.
Ato ishin shumë më afër qendrës se çdo sulm i mëhershëm ndaj kryeqytetit ukrainas. Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se sulmet e fundit të Moskës ndaj objektivave civilë në qytetin jugor të Zaporizhjës, ku u vranë 14 persona, përfshirë dhe fëmijë, ishin akt “i terrorizmit në nivel shtetëror”, që sipas tij, dëshmojnë se negocimi me Rusinë është i pamundur.
“Terrorizmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj popullatës civile natyrisht se është refuzim i negociatave të vërteta”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 9 tetorit.
“Terrorizmi në nivel shtetëror është një prej krimeve më të këqija ndërkombëtare”, shtoi ai. Deklaratat e Zelenskyt erdhën pak pasi Putin akuzoi inteligjencën ukrainase për sulmin e fundit ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë. Nga shpërthimi në urën e Kercit, mbetën të vrarë 3 persona.
Top Channel