
Laura Flores mbjell dhe korr misrin duke ndjekur traditat e paraardhësve të saj parahispanikë, atë çfarë mbetet, e dërgon në mullinjtë e vjetër të Mexico City.
Ajo përdor sistemin milpa-një sistem i rritjes së të korrave që ndërthur misrin me specie të tjera. Këto metoda të lashta kanë ndihmuar të ushqehen breza të tërë, e megjithatë ato nuk mjaftojnë për të ulur çmimin e misrit- elementi kryesore i menusë meksikane, e sidomos tortillave të famshme.
“Ka shumë prodhues sot që mbjellin, por nuk e marrin mbrapsht investimin e tyre e thonë: atëherë, më mirë po e shes. Gjendja nuk është aspak e mirë”, tha Laura Flores, fermere.
Inflacioni nuk po godet vetëm prodhuesit, por edhe konsumatorët.
“Njerëzit që kultivojnë misrin po dalin praktikisht pa fitim. Palët e treta, ato që e grumbullojnë dhe e shpërndajnë, ato po fitojnë, jo ata që mbjellin apo ne që e blejmë“, tha Marilu Chiuu, shtëpiake
“I blinim mjaft lire tortijat, por tani çmimi i tyre thuajse është dyfishuar. Mendoj se kjo prek njerëzit, dhe të gjithë ekonominë në tërësi”, tha Juan Carlos, nëpunës.
Rritja e çmimit të ushqimeve si misri e çoi inflacionin në shtator në 8.7%, niveli më i lartë në dy dekada. Presidenti Andrés Manuel López Obrador e pranon praktikisht se zia e bukës, siç e kanë quajtur mediat atje, po minon përpjekjet e tij për të përmirësuar fuqinë blerëse të atyre që pagën minimale e kanë rreth $260 në muaj.
Top Channel