Maqedonia me 350 milionë euro paketë anti-krizë, Kovaçevski: Mbështesim shtresat në nevojë

09/10/2022 21:50

Në Maqedoninë e Veriut është prezantuar pakoja e re e masave anti-krizë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski është shprehur se inflacioni dhe kriza energjetike që ka tronditur Maqedoninë e veriut po sjell pasoja të ngjashme me të gjithë Evropën.

Fillimisht qeveria e Maqedonisë së Veriut mori masa për të ngrirë çmimet e produkteve të shportës, por kjo ishte politik e gabuar sipas kryeministrit, ndërsa sytë kthehen drejt subvencionimit.

Në këto kushte 42 mijë qytetarë, në ndihmë sociale do të marrin nga 3 mijë denarë në 4 muajt e ardhshëm, në një total prej 12 mijë denarësh, ekuivalentin e 200 eurove.

Ndërkohë subvencione do të ketë edhe për pensionistët me 100 euro në 4 muaj. Nga kjo masë preken 156 mijë pensionit në shtetin fqinj. Pakoja që arrin vlerën e 350 milionë eurove sipas qeverisë maqedonase do të ketë subvencione edhe për faturat e energjisë elektrike për familjet, por edhe për kompanitë.

Ndërsa 52 milion euro do të shkojnë për bujqit. Parimi kryesor i pakos anti-krizë është që kostot e produkteve të shportës të mos rriten më tutje. Në dispozicion janë vënë edhe fonde për bizneset që kanë mungesë likuiditeti.

Në konferencën për shtyp kryeministri Kovaçevski bëri me dije se nga fillimi krizës janë ndarë rreth 750 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve.

Top Channel