Mbrëmjen e së shtunës në Serie A, luhet një klasike e futbollit italian teksa Milan pret në San Siro, Juventusin.
Kuqezinjtë i kanë bërë një start më të mirë kampionatit dhe renditen sipër torinezëve në tabelën e klasifikimit.
Megjithatë, dy fitoret e fundit të Juventus mes kampionatit dhe Champions League duket se kanë rikthyer entuziazmin në kampin bardhezi që gjithashtu shpreson edhe që tradita e Massimiliano Allegrit në ndeshjet përballë Stefano Piolit të vijojë. Kjo sepse në 16 precedentë ku Allegri është përballur me Piolin në Serie A, nuk ka humbur asnjë sfidë.
Tekniku livornez numëron 11 fitore dhe pesë barazime, ndërsa ecurinë pozitive i duhet ta ruajë me patjetër edhe të shtunën për të rikthyer Juventusin në pjesën e sipërme të renditjes.
Ndërkaq, statistikat për Piolin nuk janë pozitive në përballjet me Juventusin edhe kur vjen puna tek përballjet e tij në total me bardhezinjtë. Kjo pasi 56-vjeçari e ka mundur vetëm dy herë në karrierën e tij “Zonjën e Vjetër”, ndërsa më tej ka regjistruar vetëm 5 barazime e plot 12 disfata.
Sakaq, një tjetër statistikë që nuk i shkon përshtat Milanit është edhe fakti se Allegri i ka mundur kuqezinjtë në nëntë përballje ndërsa ka marrë edhe tre barazime, teksa është mposhtur në katër raste. Bilanci pozitiv vijon edhe me golat, me ekipet e Allegrit që në përballjet ndaj Milan kanë shënuar plot 24 gola duke pësuar vetëm 15 të tillë.
Megjithatë, statistikat nuk ndikojnë aspak në fushë dhe të shtunën Milan do të provojë të diktojë lojën ndaj Juventusit për të treguar pretendimet e saj në këtë kampionat, ku i duhet të mbrojë titullin e fituar sezonin e kaluar./ Super Sport
Top Channel