Sulm me raketa mbi Zaporizhja: Rusia po godet pallatet me raketa

06/10/2022 12:58

Shpërthime të shumta tronditën në orët e para të ditës qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhja, kryeqendra e njërit prej rajoneve të aneksuara ilegalisht nga Rusia.

Raketat kanë sulmuar infrastrukturë e ndërtesa banimi njoftoi guvernatori  Oleksandr Starukh, i cili akuzoi drejtpërdrejt Moskën e shtoi se të paktën dy persona kanë humbur jetën pas zjarreve dhe shkatërrimeve të konsiderueshme.

“Objektivi i armikut ishte infrastruktura”, ka shkruar Starukh në rrjetet sociale. Vetë Rusia nuk ka komentuar ende. Sulmet vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se priste që situata të “stabilizohej” në rajonet ukrainase të aneksuara nga Moska. Homologu i tij ukrainas ndërkohë, e fshikulloi me komentet se kundërofensiva e Ukrainës po vazhdon të fitojë terren, dhe Kievi ka arritur të rimarrë një sërë fshatrash.

“Tre fshatra në rajonin e Khersonit u çliruan nga pseudo-referendumi dhe gjendja atje është e qëndrueshme tashmë. Lëvizja jonë përpara vazhdon”, tha Zelensky.

Një ditë më parë, Putin urdhëroi shtetin rus që të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor të Zaporizhjës. Kjo është një nga lëvizjet e tij të para për të vendosur sundim mbi zonat e Ukrainës të cilat Moska i ka shpallur të vetat.

Urdhri erdhi pas nënshkrimit të dekreteve për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, të cilat kontrollohen pjesërisht nga Rusia. Nënshkrimi i dekretit tani e përcakton centralin bërthamor si “pronë federale” ruse. Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Rosenergoatom, operatori rus i energjisë bërthamore, tha se do të vlerësojë dëmet në infrastrukturën e uzinës dhe do t’i transferojë punonjësit ukrainas në një organizatë të re në pronësi ruse.

Top Channel