Një “BE paralele”! Nesër Samiti i Pragës, a do të mbetet Ballkani në “paradhomën”?

05/10/2022 20:20

6 tetori do të shënojë mbledhjen e parë të Komunitetit Politik Europian, një nismë kjo e  propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron me qëllimin të mbledhë bashkë udhëheqësit e vendeve nga e gjithë Europa.

Shefi i Elizesë e hodhi në fillim të majit idenë për krijimin e një organizmi të tillë i cili do t’i lejonte shtetet që nuk janë në BE, përfshirë Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar, t’i bashkohen këtij unioni që do të kishte në thelb vlerat europiane.

Samiti çelet nga kryeministri i Republikës së Çekisë, Petr Fiala, vend ii të cilit mban presidencën e radhës së bllokut, e pas tij, do të flasin me radhë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një lidhjeje video,  kryeministri i Norvegjisë, Gahr Store, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja britanike Liz Truss.

Përpara samitit, në një shkrim të përbashkët me homologun e tij holandez, Mark Rutte, të botuar në Politico.eu, Rama nenvizon se: “Nevoja për një kundërpërgjigje europiane të fortë, të vazhdueshme e të bashkuar është sot më e nevojshme se kurrë. Kjo është arsyeja pse ne e përkrahim plotësisht propozimin e presidentit Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Europian, KPE”. Shkrimi thekson se forum i ri “nuk duhet ti zërë vendin procesit të mirëstrukturuar të anëtarësimit në BE për vendet kandidate”.

Megjithatë, këto pohime nuk davarisin frikën që shoqëroi këtë ide që në fillesat e saj, se mund të ndodhë pikërisht një gjë e tillë, dhe  vendet e Ballkanit Perëndimor të mbeten pafundësisht në pritje për t`u bërë anëtare me të drejta të plota të bllokut europian. Ka disa zëra sipas të cilëve, Komuniteti Politik Europian mund të shërbejë pikërisht si një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së.

Një prej tyre, Florent Parmentier, ekspert i shkencave politike thotë për The Conversation, se “për të gjitha këto shtete, anëtarësimi i plotë në BE mbetet një objektiv i rëndësishëm, por nëse kriteret e Kopenhagenit nuk rishikohen, ai mund të mbetet vetëm një objektiv afatgjatë dhe i pasigurt te cilin vete shtetet anëtare nuk hezitojnë ta bëjnë më të vështirë për t`u arritur. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë paguar çmimin për dy dekada, pa marrë ende një qartësim të perspektivës së tyre për anëtarësim në BE.

Top Channel