Peniani lëshon raketën, sirena e frikë në Tokio. Ekspertët: Kërcënim bërthamor!

04/10/2022 21:28

Raketa balistike e lëshuar nga Koreja e Veriut mbi Japoni është cilësuar si “kërcënimi i parë bërthamor i Kim Jong Un-it”.

Raketa udhëtoi rreth 4.500 kilometra, para se të binte në Oqeanin Paqësor, një largësi kjo e mjaftueshme për të goditur rajonin amerikan të Guamit nëse do të merrte trajektore tjetër. Kjo është hera e parë, prej vitit 2017, që një raketë verikoreane udhëton mbi Japoni. Episodi ngjalli frikë në kryeqytetin japonez, Tokio, ku bëri që të bien sirenat dhe banorët të ftohen për të hyrë nëpër strehime.

Testi i sotëm, thonë ekspertët ushtarakë, i kujtoi si Tokios ashtu edhe Seulit se janë në rrezen e goditjes së Penianit, ndërsa në mënyrë indirekte, paralajmërimi vlente edhe për SHBA-në. Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore. Lëshimi i raketave drejt apo mbi një shtet, pa paralajmërim apo konsultim, po ashtu bie ndesh me normat ndërkombëtare.

Raketa e kreu udhëtimin me distancën më të gjatë që ka bërë ndonjëherë një pajisje e tillë verikoreane, dhe ka arritur lartësinë e rreth 1.000 kilometrave – më lart sesa Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. Kryeministri japonez, Fumio Kishida, e ka përshkruar këtë lëshim rakete si “sjellje të dhunshme”, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, ka thënë se Japonia nuk e përjashton mundësinë e forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes përfshirë “kundërsulmin”. Zyrtarët perëndimorë thonë se Kim Jong un ka ndryshuar strategji: ai nuk kërkon më negociata, por synon t`i bindë koreano-jugorët dhe amerikanët se është gati të përdorë edhe armë atomike, një lloj shantazhi ky që i bën Koresë së Jugut, nga e cila pretendon lëshime.

Top Channel