“Ulje e prodhimit të naftës me 1 milion fuçi në ditë”, OPEC+ kërkon rritjen e çmimit

03/10/2022 13:46

 Grupi i shteteve  prodhuese të naftës të OPEC+ po planifikon të njoftojë një shkurtim historik në sasinë e prodhimit të naftës, me gati më shumë se një milion fuçi në ditë, në mënyrë që me shpresë t’i shtyjnë çmimet e naftës përsëri drejt numrave treshifrorë.

Nëse kjo konfirmohet në takimin e të mërkurës në Vjenë, do të ishte lëvizja më e madhe që nga pandemia COVID-19 për të  adresuar dobësinë e tregut të naftës.

OPEC+, i cili përbëhet nga vendet e OPEC-ut dhe aleatët si Rusia, ka refuzuar të rrisë prodhimin për të ulur çmimet e naftës pavarësisht presionit nga konsumatorët kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar ekonominë globale.

Çmimet megjithatë kanë rënë ndjeshëm në muajin e fundit për shkak të frikës për ekonominë globale dhe një rritje të dollarit amerikan pasi Rezervat Federale ngritën normat.

Një ulje e konsiderueshme e prodhimit është gati të zemërojë Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ushtruar presion mbi Arabinë Saudite që të vazhdojë të prodhojë më shumë për të ndihmuar që çmimet e naftës të zbuten më tej dhe të reduktojnë të ardhurat për Rusinë, ndërsa Perëndimi kërkon të ndëshkojë Moskën për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Analistët dhe vëzhguesit e OPEC-ut si UBS dhe JP Morgan kanë sugjeruar ditët e fundit se një ulje në prodhim prej rreth 1 milion fuçi në ditë, mund të ndihmojë në ndalimin e rënies së çmimeve dhe të sjellë një çmim të ri , prej 100 dollarë për fuçi.

Top Channel