
Presidenti i skuadrës Arema FC, Gilang Widya Pramana tha se pranon fajin për tragjedinë e përgjakshme të stadiumit Kanjuruhan Stadium të shtunën në Java, kur bota e futbollit u shokua nga vdekja e 125 tifozëve, të shtypur teksa tentonin të dilnin prej trazirave.
Tragjedia ndodhi kur policia në mënyrë të papërgjegjshme lëshoi gaz lotsjellës ndaj tifozëve që kishin hyrë në fushën e lojës pas disfatës së skuadrës vendase Arema FC, 3-2 ndaj rivalëve Persebaya, në kampionatin Liga 1 të vendit.
Paniku u përhap shpejt nëpër shkallët e stadiumit duke bërë që mijëra njerëz të vërshonin drejt daljeve, duke u shtypur për vdekje.
Sot në një konferencë shtypi Pramana tha se merrte përgjegjësi për katastrofën, e cila fillimisht u tha se kishte vrarë 174 njerëz, derisa më vonë numri i viktimave të korrigjohej në 125.
Në një tjetër konferencë shtypi ministri i sigurisë Mohammad Mahfud Mahmodin, tha se skuadra Arema FC “do të identifikojë menjëherë ata që janë përgjegjës për tragjedinë”.
Presidenti Joko Widodo kërkoi që tragjedia e stadiumit Kanjuruhan të jetë e fundit në vendin e tij dhe kërkoi pezullim të ndeshjeve të Liga 1 që më pas u miratua nga federata.
Duke reaguar ndaj tragjedisë, kreu i FIFA, Gianni Infantino tha se bota e futbollit ishte “e shokuar nga incidenti” në këtë “ditë të zezë për sportin”.
Top Channel