Presidenti i klubit merr përgjegjësinë për tragjedinë me 125 të vdekur në stadiumin indonezian (VIDEO)

03/10/2022 16:48

Presidenti i skuadrës Arema FC, Gilang Widya Pramana tha se pranon fajin për tragjedinë e përgjakshme të stadiumit Kanjuruhan Stadium të shtunën në Java, kur bota e futbollit u shokua nga vdekja e 125 tifozëve, të shtypur teksa tentonin të dilnin prej trazirave.

Tragjedia ndodhi kur policia në mënyrë të papërgjegjshme lëshoi gaz lotsjellës ndaj tifozëve që kishin hyrë në fushën e lojës pas disfatës së skuadrës vendase Arema FC, 3-2 ndaj rivalëve Persebaya, në kampionatin Liga 1 të vendit.

Paniku u përhap shpejt nëpër shkallët e stadiumit duke bërë që mijëra njerëz të vërshonin drejt daljeve, duke u shtypur për vdekje.

Sot në një konferencë shtypi Pramana tha se merrte përgjegjësi për katastrofën, e cila fillimisht u tha se kishte vrarë 174 njerëz, derisa më vonë numri i viktimave të korrigjohej në 125.

Në një tjetër konferencë shtypi ministri i sigurisë Mohammad Mahfud Mahmodin, tha se skuadra Arema FC “do të identifikojë menjëherë ata që janë përgjegjës për tragjedinë”.

Mahfud MD shkruante më herët se 42,000 bileta ishin shitur për stadiumin me kapacitet maksimal prej 38,000 spektatorësh.

Presidenti Joko Widodo kërkoi që tragjedia e stadiumit Kanjuruhan të jetë e fundit në vendin e tij dhe kërkoi pezullim të ndeshjeve të Liga 1 që më pas u miratua nga federata.

Duke reaguar ndaj tragjedisë, kreu i FIFA, Gianni Infantino tha se  bota e futbollit ishte “e shokuar nga incidenti” në këtë “ditë të zezë për sportin”.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA