Potter e pranon: Thiago Silva i shpëtoi të kuqit, djemtë treguan karakter!

02/10/2022 11:25

Në premierën e trajnerit Graham Potter në Premier League, Chelsea vuajti pa masë ndaj Crystal Palace në transfertë, megjithatë ia doli të fitonte me rezultatin 1-2, falë një goli në limite të Gallagher.

“Blutë e Londrës” e nisën si mos më keq ndeshjen pasi kaluan në disavantazh në minutën e 7-të, ndërsa vendasit në disa raste i shkuan pranë dyfishimit.

Nga ana tjetër, Thiago Silva ishte me fat që arbitri dhe VAR e falën në një episod ku braziliani e preku qëllimisht topin me dorë për të ndalur një aksion të rrezikshëm të Crystal Palace. Vetëm pak çaste më pas, Silva asistoi për Aubameyang dhe vendasit e vuajtën edhe më shumë faktin që 38-vjëçari nuk u përjashtua nga loja.

Pas sfidës, edhe vetë trajneri Potter e pranoi se ishin me fat që Silva nuk u ndëshkua me karton të kuq. “Thiago Silva e preku topin me dorë, por mendoj se e shpëtoi fakti që nuk ishte një aksion afër portës.

Por, e pranoj se ishte një vendim i vështirë për t’u marrë nga arbitri, mund të them se ishte një episod 50-50. E kuptoj shumë mirë edhe dëshpërimin e Patrick Viera, ishim me fat. Sa i takon ndeshjes, më vjen mirë për tre pikët. Nuk është një fushë e lehtë dhe djemtë treguan karakter. Ishin të bashkuar në fushë dhe nuk u dorëzuan, por reaguan”, tha Potter.

Top Channel