Pasi Volodymyr Zelensky firmosi me nxitim dokumentin ku kërkohej që vendi i tij të bëhej pjesë e NATO-s, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ishte ndër të parat që reagoi duke u përpjekur ta ulë presidentin ukrainas me këmbë në tokë.
Baerbock tha se nuk sheh asnjë mundësi që Ukraina të anëtarësohet shpejt në aleancën më të madhe ushtarake të globit.
“Unë e kuptoj dëshirën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë. Edhe pse ne do të vazhdojmë ta mbështesim pa hezitim të drejtën e saj për vetëmbrojtje, e kemi bërë të qartë që nga dita e parë se kemi përgjegjësinë të sigurohemi që lufta të mos përhapet në vendet e tjera dhe se NATO nuk bëhet një partner lufte. Kjo vazhdon të mbetet e vërtetë edhe sot”, tha Annalena Baerbock.
Në të njëjtën linjë me Berlinin, duket se është dhe Washingtoni.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se mbështesin një politikë të dyerve të hapura për NATO-n. Çdo vendim për anëtarësimin në NATO merret në koordinim me të 30 aleatët. Aktualisht, pikëpamja jonë është se mënyra më e mirë për të mbështetur Ukrainën është në terren. Anëtarësimi në NATO duhet lënë për një moment tjetër”, u shpreh Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare SHBA.
Zelensky u shpreh se vendi i tij, është “de fakto” në NATO pasi e ka dëshmuar, siç tha ai, përputhshmërinë me standardet e Aleancës, dhe se aplikimi i Kievit synon thjesht që ta bëjë këtë gjë “de jure”.
Megjithatë, një parakushtet kryesore që aleanca vendos për shtetet kandidate është më së pari, që ato të mos jenë të përfshira në konflikte dhe mosmarrëveshje ndërkombëtare kur bëhet fjalë për kufijtë.
Top Channel