Rekord në Ballsh/ Shkundet Erzeni, Teuta nuk “sheh dritë” ende

01/10/2022 13:17

Erzeni ishte surpriza më befasuese në javët e para të kampionatit Abissnet Superiore, me shijakasit që nuk pësuan asnjë gol në pesë javët e para, ndërsa e panë veten në vendet kryesuese të renditjes.

Megjithatë, takimi i parë i javës së gjashtë solli humbjen e parë sezonale për Erzenin.

Skuadra e Xhevahir Kapllanit u mund 4-1 nga Bylisi, duke i dhënë fund serisë së ndeshjeve pa humbje dhe pa pësuar. Një rezultat që zgjon ekipin e Kapllanit, që hapësira e pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve duket se nuk i ka shërbyer për mirë.

Në anën tjetër Bylisi, duke përjashtuar humbjen me Partizanin, vijon të bëjë paraqitje të mira dhe e sheh veten në vendet e para të renditjes. Dy skuadrat që u ngjitën këtë edicion në Superiore prodhuan dhe ndeshjen me më shumë gola në këto javë të para, pasi në asnjë takim tjetër nuk ishin shënuar pesë gola!

Teuta, në anën tjetër, vijon të mos shohë dritë në fund të tunelit. “Djemtë e Detit” larguan Renato Arapin dhe i besuan drejtimin e ekipit Bledi Shkëmbit, por as tekniku korçar ende nuk e ka shijuar suksesin e parë, njësoj si Teuta.

Durrsakët barazuan pa gola ndaj Vllaznisë në “Niko Dovana”, duke regjistruar barazimin e katërt në këto 6 javë. Teuta nuk ka mundur që të shënojë në asnjë nga pesë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës, duke marrë 4 barazime pa gola dhe një humbje 4-0 me Tiranën.

Një situatë e vështirë për bregdetarët, të cilët kanë ndryshuar një pjesë të konsiderueshme të skuadrës. Takimin e radhës Teuta e luan në transfertë kundër Kastriotit të Emiliano Çelës.

Top Channel