“Aromë kafeje, lumturia dhe unë”, kjo është në Melburn të Australisë motoja e ditës së kafesë, e cila e sposton krejtësisht vëmendjen tek ajo që mbetet padyshim një prej pijeve më popullorë të të gjithë globit dhe shijohet në çdo vend të botës.

Aq shumë preferohet në Melburn, sa rëndom të rastis të hapësh në internet përcaktimin e këtij qyteti “si parajsa e kafesë”.

“Kafeja është gjë serioze këtu tek ne”, thotë një banor teksa gjerb filxhanin me endje. Dita ndërkombëtare e kafesë shënohet çdo vit në 1 tetor që prej vitit 2015 me qëllim promovimin e kremtimin e kësaj pijeje kaq të dashur për shumëkënd.

Ajo u caktua nga Organizata Ndërkombëtare e Kafesë, e cila vetë është themeluar në 1963-shin dhe sot, numëron 43 vende anëtare eksportuese dhe 6 importuese, që së bashku, përbëjnë 98% të prodhimit të kafesë në botë dhe 67% të konsumit të saj.

Evente të ngjashme megjithatë, nuk kanë munguar as në të shkuarën. Që në 1983-shin, All Japan Coffee Association nderonte kafenë dhe prodhuesit e saj, e në Nepapl, Tajvan e madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur një ditë kombëtare të kushtuar kafesë.

1 tetori shërben për të ndihmuar edhe sesi të mësohet më shumë rreth kafesë, procesin e rritjes dhe mënyrën sesi kokrrat e saj shndërrohen më pas në pijen që shijojnë miliona vetë në të gjithë planetin, duke u kthyer në pijen e tyre të përditshme.

Një ndër më e shtrenjta sot në botë, është ajo që njihet si kafeja Geisha, një specialitet i cili rritet në rajonin Boquete të Panamasë. Tre vjet më parë, ajo theu çdo rekord duke u shitur në ankand $1,029 dollarë për kilogramë, por së fundi është mposhtur nga kafeja Kopi Luwak.

Në Italinë fqinjë, kafeja është praktikisht një ritual social e kulturor. Me 30 milionë kafe ekspres të konsumuara atje çdo ditë, Roma vendosi ta bëjë “espresson” kandidat për statusin e trashëgimisë së Unescos-s.

Nga Venecia në Itali, qoftë nëse serviret me filxhanë apo gota kartoni, e zezë ose me qumësht, kafeja përfaqëson më shumë sesa “një shkulm” kafeinë: Ajo nënkupton një gjest miqësie.

Massimiliano Rosati, pronar kafeneje:

“Dashur pa dashur krijohet një marrëdhënie me baristin, çfarë kafe merr- me sheqer, si e do brown apo të bardhë, kafen e do të ftohtë apo të nxehtë: Është një botë e tërë që rrotullohet rreth një filxhani të vogël, e në ato momente, për ne, edhe një gjë kaq e thjeshtë bëhet më tragjike!”

Top Channel