Opozita e Sali Berishës nuk i mblodhi në shtator siç kishte paralajmëruar zemërimin e qytetarëve dhe demokratëve në sheshe protestë.

Më në fund Sali Berisha pranoi publikisht se problemi nuk ishte tek njerëzit, por tek ai vetë.

“Çdo ditë jemi të vonuar në përballje. Pyetje të ndryshme, edhe unë marr, “çfarë po bëni?” “A thatë shtator?”, “Ku jeni, ne po presim. Absolutisht jemi larg.  Ku është Partia Demokratike sot? Kur them Partia Demokratike, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet. Si të jenë ata, do jemi ne“, tha Berisha.

Por, Sali Berisha ka vendosur që partia e tij, t’i shkojë pas protestave të vetë shoqërisë. Duke nisur nga 5 Tetori me atë të thirrur nga sindikatat dhe pedagogët. Por, kjo sipas tij nuk mjafton.

“Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme. Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim”, u shpreh Berisha.

Paralelisht me aksionin në terren Sali Berisha ka nisur punën për zgjedhjet lokale të 2023. Kandidatet për 61 Bashki ka vendosur t’i zgjedhë përmes primareve.

Mes presionit të aleatëve për të dalë me një emër të përbashkët dhe vendime të Kuvendit të stadiumit që  vendosi themelet e PD-së së rithemeluar Berisha zgjodhi të respektojë vullnetin e demokratëve .

“Ne do i lejmë pushtetin që i takon anëtarit të PD dhe këto janë përcaktime të statutit tonë”, tha Berisha.

Por, në një situatë  të paqartë juridike për logon dhe vulën e partisë, bashkëpunimi me aleatët është i domosdoshëm për tu regjistruar në zgjedhje. Për këtë arsye Berisha la një shteg hapur për negociata me aleatët.

“Detajet se si do të veprohet në rast se do të vendoset që aleatëve t’u lihet një zonë e lirë apo modalitete e tjera, do të përcaktohen gjatë këtyre bisedimeve, vetë kryetari i Partisë Demokratike do të jetë negociatori kryesor, pra z.Berisha”, tha Paloka.

Përpjekja për tu bashkuar me deputetët e grupimit Alibeaj ka dështuar deri më sot.  Por, dera e partisë nuk është e mbyllur përfundimisht për ta.

“Deputet të partisë demokratike janë deputet të partisë demokratike dhe ata janë të mirëpritur, ata janë të barabartë me të gjithë ne”, u shpreh Paloka.

Të drejtën për të votuar kandidatin e preferuar në primaret që do te zhvilloje selia blu do e kenë jo vetëm anëtarët  e partisë demokratike por edhe simpatizantët e saj.

Top Channel