“Atje nuk ka veto ruse”, SHBA: Rezoluta e Shqipërisë shkon në Asamblenë e OKB-së

01/10/2022 17:01

Edhe pse Rusia, ashtu siç edhe pritej, e bllokoi me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i referendumeve të paligjshme në Ukrainë, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e bëri të qartë se dokumenti do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh, ku vetoja e Moskës nuk ekziston.

“Një hap i tillë kërkon të tregojë se bota është ende në anën e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Shtetet e Bashkuara e propozuan rezolutën së bashku me Shqipërinë, për të dënuar të ashtuquajturat referendume të mbajtura në territorin ukrainas. Rezoluta është e drejtpërdrejtë. Ajo i dënon këto votime të paligjshme dhe u bën thirrje të gjithë vendeve të mos njohin asnjë ndryshim të shtetit të Ukrainës, ndërsa kërkon të tërheqë menjëherë trupat e saj prej andej.  Se kjo është detyra jonë, mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial, promovimi i paqes dhe sigurisë”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB.

Dhjetë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan në favor të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, e kishte bërë të qartë në fjalën e tij se “referendumet e rreme në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson nuk kanë të bëjnë fare me demokracinë, me vullnetin e lirë të ukrainasve, me asnjë standard ndërkombëtar zgjedhor”.

Sipas rezolutës, referendumet “nuk kanë vlefshmëri dhe nuk mund të përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”.

Top Channel