Shpërthim i fuqishëm në Kabul, humbin jetën 19 persona dhe plagosen dhjetëra të tjerë në një universitet

30/09/2022 17:48

Një shpërthim i fuqishëm i ka marrë jetën 19 personave dhe ka plagosur 30 të tjerë në Kabul këtë të premte.

Sulmi ka ndodhur në një universitet Kaaj në zonën Dasht-e-Barchi në perëndim të qytetit, ndërsa pjesa më e madhe e viktimave janë studentë.

Ata kishin qenë në një provim praktike në momentin që godina u shkatërrua nga bomba.

Sipas BBC, ende asnjë grup nuk e ka marrë përsipër sulmin, ndërsa sulmi është dënuar ashpër nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA.

Mediat iraniane kanë raportuar se autori ka qëlluar mbi rojet jashtë universitetit dhe më pas ka hyrë në një klasë ku ka shpërthyer bombën.

Disa raporte kanë zbuluar se numri i të vdekurve është shumë më i lartë nga sa kanë pranuar zyrtarët talebanë.

Qendra e shkollimit Kaaj është një kolegj privat ku mësojnë studentë djem dhe vajza. Shumica e shkollave të vajzave në vend janë mbyllur që kur talebanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit të kaluar, por disa shkolla private janë ende të hapura.

Top Channel