Rezoluta sot në OKB/ Hidhet për votim drafti shqiptaro-amerikan që dënon aneksimin rus

30/09/2022 11:36

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara voton sot rezolutën që dënon referendumet për aneksimin e kater rajoneve të Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Rezoluta, e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria- përmbajtja e saktë e së cilës nuk është ende publike, me shumë gjasë nuk do të miratohet për shkak të vetos ruse, megjithatë ajo mund të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-se.

Teksti i dokumentit dënon me forcë ato që Perëndimi i ka etiketuar si referendume “të rreme” që synojnë aneksimin e territoreve të një shteti Sovran. Ai u kërkon vendeve anëtare “të mos njohin asnjë status të ndryshuar të Ukrainës dhe të detyrojnë Rusinë të tërheqë trupat e saj nga shteti fqinj”, pohoi ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Pavarësisht se vetoja e Moskës ndaj rezolutës që dënon veprimet e saj konsiderohet e sigurt, të gjithë duket se do t’i kenë sytë nga reagimi i Indisë dhe Kinës. Të dyja këto shtete, në muajin shkurt  abstenuan nga votimi i rezolutës që dënonte  pushtimin e Moskës ndaj ish-fqinjit të saj sovjetik, por Kina në fillim të kësaj jave bëri thirrje që të respektohet “integriteti territorial” i të gjitha vendeve. Votimi i mëvonshëm në Asamblenë e Përgjithshme do të shërbejë për të krijuar një panoramë më të qartë të asaj sesa e izoluar është aktualisht Rusia nëpër botë.

Vendet perëndimore “kanë besimin se do të ketë mbështetje të fortë për integritetin territorial të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme“, thotë Richard Gowen, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Unë mendoj se shumë vende filluan të tërhiqen nga mbështetja për Ukrainën në OKB ndërsa lufta po zvarritej, por  duke vendosur aneksimin dhe integritetin territorial në tryezë, Vladimir Putin do të detyrojë mjaft shtete të lëkundura të mbështesin përsëri Ukrainën”, shton ai, duke iu referuar këtu edhe disa vendeve afrikane, ndërsa e cilëson aneksimin një gabim thelbësor diplomatik të presidentit rus.

 

 

Top Channel