Vladimir Putin pritet t’i drejtohet sot kombit për një fjalim madhor, përmes të cilit, siç është njoftuar, do të shpallë dhe aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, ku u zhvilluan referendum 5 ditore, të cilat janë përshkruar si një ‘farsë” nga perëndimi.

Fjalimin e fundit të madh, kreu i shtetit rus e mbajti në orët e para të 24 shkurtit, kur ai njoftoi se po urdhëronte dhjetëra mijëra trupa të pushtonin Ukrainën, në atë që është bërë lufta më e madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore – e që tashmë po kthehet në testin më të madh për Putinin në 23 vjetët e tij në pushtet. Fjalimi sotëm vjen në një nga momentet më kritike në katër mandatet e tij si president.

Fjalën e tij voluminoze, Putini pritet ta mbajë në një ceremoni në Pallatin presidencial në Kremlin, ku të pranishëm do të jenë edhe liderët e instaluar nga Moska të katër rajoneve që Rusia kërkon ti zyrtarizojë si pjesë të saj: Donjecku, Luhansku, Zaporizhia dhe Khersoni.

Ky event vjen gjithashtu nëntë ditë pas fjalimit të tij të regjistruar paraprakisht, përmes të cilit njoftoi mobilizimin e pjesshëm ushtarak, që ka nxitur një valë të madhe protestash në vend, si një ;argim masiv të të rinjve rusë. Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se nuk do ta njohin kurrëkëtë aneksim. Anthony Blinken në Uashington tha se referendumet e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, rezultatet e të cilave po shfrytëzohen nga Moska për të justifikuar aneksimin e territorit ukrainas, ishin një tentativë për grabitje toke që është e paligjshme dhe shkel ligjin ndërkombëtar.

“Referendumet e rreme të Kremlinit janë një përpjekje e kotë për të maskuar atë që përbën një përpjekje të mëtejshme për grabitje toke në Ukrainë. Për të qenë të qartë: rezultatet u orkestruan në Moskë dhe nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit të Ukrainës”- u shpreh Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres gjithashtu vlerësoi nëse Rusia vë në jetë planet e saj për aneksim kjo do të shënonte një “përshkallëzim të rrezikshëm” që do të rrezikonte perspektivat për paqen në rajon.

Top Channel