Gjykata e Apelit i ka vënë pikat mbi ‘i’ sa i takon ligjit të dekriminalizimit dhe betejës gjyqësore që pati me drejtësinë njëri nga anëtarët e gjykatës kushtetuese i shkarkuar nga vettingu.

Duke shpallur të pafajshëm Admir Thanzën , i cili u akuzua nga prokuroria se kishte falsifikuar formularët me mos deklarimin e një dënimi prej 40 ditë burg në Itali, Apeli mësohet se i ka treguar kufinjtë prokurorisë për të rilexuar ligjin.

Burimet që u kontaktuan në telefon nga Top Channel thanë se ish gjyqtari nuk e kishte për detyrë që të deklaronte vendimin e drejtësisë italiane të vitit 1999, sa kohë ai dënim nuk ishte mbi gjashtë muaj burgim dhe për këtë arsye ish zyrtari i drejtësisë shqiptare ka qenë korrekt duke pohuar se ishte i padënuar.

Argumenti tjetër që i dha pafajësi ish gjyqtarit Kushtetues, Thanza lidhet sipas burimeve me faktin se letërporosia e përcjellë nga italianët konfirmon se edhe për drejtësinë e fqinjëve Thanza nuk konsiderohet i dënuar sa kohë atij i ishte konvertuar burgimi në 100 mijë lireta gjobë.

Thanza ishte një gjyqtar karriere në Shqipëri deri ditën kur vettingu dhe vëzhguesit ndërkombëtarë i zbuluan njollën penale nga e kaluara , dhe një dënim që e implikonte atë në vjedhje para 23 viteve. Por Thanza këmbënguli se kjo cështje ishte sqaruar dhe se nuk kishte vjedhur ndonjëherë, megjithatë vettingu e shkarkoi duke e konsideruar të papërshtatshëm.

Shkalla e parë e dënoi Thanzën me 18 muaj shërbim prove, kurse në Apel përpos gjyqtarëve edhe prokurorja e cështjes Arta Marku ka kërkuar kthimin e cështjes për rigjykim. Vendimi i pafajësisë nuk ka asnjë efekt për kthimin e 53 vjecarit në drejtësi, mbasi atij iu gjetën probleme me pasuritë, dy prej të cilave u vendosën nën hetim nga SPAK.

Top Channel