Kremlini shpalli fitoren në rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, ku sipas zyrtarëve të instaluar nga Moska, shumica e zgjedhësve kanë votuar për bashkimin me Rusinë.

Rezultatet e para të referendumeve të rreme të Rusisë treguan se cili ishte trendi, e më vonë, ky pretendim u përforëcua në mesin e lajmeve se njerëzit ishin cuar drejt qendrave të votimit nën kërcënimin e armëve. Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në OKB-së kundër të gjithë kësaj farse.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë asnjë përpjekje territoriale të Rusisë për të marrë apo aneksuar pjesë të Ukrainës. Referendumet e rreme ruse, nëse pranohen, do të hapin ‘Kutinë e Pandorës’ të cilën ne nuk mund ta mbyllim. Nëse Rusia zgjedh t`i shmanget përgjegjësisë së saj këtu në Këshill dhe përdor veton, do t`i drejtohemi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t`i dërguar Moskës një mesazh të pagabueshëm.”

“Ne dhe shumë vende të tjera kemi qenë tejet të qartë për këtë cështje: Ukraina ka të drejtën të mbrojë të gjithë territorin e saj, përfshirë dhe atë që i është marrë në rrugë të paligjshme nga Rusia në një mënyrë apo një tjetër.”

Po kaq i qartë, ishte edhe mesazhi i shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Këto referendume të rreme, retorika nukleare, e kombinuar dhe mobilizimin e forcave të armatosura: të gjithë këto përbëjnë një përshkallëzim të fortë të konfliktit, dhe ne do ta marrim seriozisht.”

SHBA-ja po ashtu po përgatit një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë nëse ajo anekson territorin ukrainas, si edhe një tjetër paketë armatimesh për Ukrainën në vlerën e 1.1 miliard dollarëve. Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.

Sipas zyrtarëve lokalë të emëruar nga Moska, rezultatet e votimit varionin nga 87 për qind deri në 99.2 për qind në favor të bashkimit me Rusinë. Në territoret e pushtuara, zyrtarët e instaluar rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se kjo ishte e paligjshme dhe ishte një metodë e frikësimit të votuesve me qëllim që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet ukrainase.

Nëse kjo ndodh, atëherë Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë, teksa javën e kaluar paralajmëroi ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të vendit të tij.

Top Channel