Megjithëse padia për privatizimin e kompleksit “Partizani” ka dy vite në SPAK, duket se tani prokurorët po i japin ritëm hetimeve.

Pas thirrjes së dy ish-ministrave, Fatmir Mediu e Gazment Oketa dhe ushtarakut Vladimir Qirjazi, përpara prokurorëve të posaçëm, sot doli ish-ministri i Ekonomisë në mandatin e parë të qeverisë Berisha, Genc Ruli.

Nën cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, pasi ka qenë Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për rreth 1 orë, Genc Ruli është përgjigjur për mënyrën e privatizimit të këtij kompleksi dhe për procedurat të cilat janë ndjekur për rastin.

Pritet që prokurorët e posaçëm për të mbledhur të dhëna për këtë çështje të  thërrasin edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshin.

Kallëzimi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, dikur pronë e Ministrisë së Mbrojtjes që më pas u shndërrua në kompleks pallatesh, është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Nëpërmjet kësaj padie, Balla akuzon për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministrin Arben Imami.

Top Channel