Kërcënohet nga mafia marokene, talentit të madh holandez i djegin makinën luksoze

27/09/2022 14:51

Mesfushori Mohamed Ihattaren, kartoni i të cilit i përket Juventusit, por aktualisht është i huazuar te Ajax, ka përjetuar një moment të vështirë.

Siç raporton “De Telegraaf”, makina e tij, një Porsche Panamera, ka marrë flakë natën mes së hënës dhe së martës.

Ngjarja ka ndodhur në Utrecht, rreth orës tre të mëngjesit, dhe ka qenë policia që ka lajmëruar zjarrfikësit, që kanë ndërhyrë menjëherë.

Tashmë kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe në veçanti do të shikohen pamjet e marra nga kamerat.

Vetëm pak ditë më parë u dogj edhe makina e vëllait të Ihattaren, Jasirit, për arsye ende të paqarta.

Sipas “De Telegraaf”, lojtari prej disa kohësh po përballet me kërcënime nga rrethet kriminale për të cilat policia ka nisur hetimet.

Në fillim të gushtit, Ihattaren u bë lajm për shkak të kërcënimeve që mori nga disa anëtarë të mafies Mocro (mafia marokene), që vepron prej vitesh mes Holandës dhe Belgjikës.

I lindur në vitin 2002, Mohamed Ihattaren konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenj të viteve të fundit të futbolli holandez, por karriera e tij deri më tani ka qenë e mbushur me një sërë problemesh që e kanë penguar të spikatë në fushën e blertë.

I blerë nga Juventusi në verën e vitit 2021, ai u huazua te Sampdoria deri në janar 2022, por nuk luajti asnjë ndeshje. Më 1 prill ai u rikthye në fushë me fanellën e të rinjve të Ajaxit pothuajse një vit pas paraqitjes së tij të fundit. Këtë sezon edhe nuk ka zbritur në fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA