Kampioni botëror i shahut akuzon rivalin se bën me hile (fotot)

27/09/2022 18:04
Kampioni botëror i shahut Magnus Carlsen

Kampioni botëror i shahut Magnus Carlsen ka akuzuar për herë të parë haptazi kundërshtarin e tij Hans Niemann për manipulim gjatë lojës.

Në një deklaratë ai tha se besonte se Niemann “ka luajtur me hile — shumë më tepër nga sa është deklaruar publikisht”, edhe pse nuk ofronte prova.

Carlsen kishte bërë më parë akuza të tërthorta ndaj Niemann, i cili e mundi në një përballje këtë muaj, çka shkaktoi zhurmë në botën e sportit.

19 vjeçari Niemann, ka mohuar se ka bërë hile në kampionatin profesionist të shahut dhe ka akuzuar Carlsen se po përpiqet t’i shkatërrojë karrierën.

I riu ka pranuar më herët se ka bërë me hile në lojrat online dy herë, kur ishte 12 e 16 vjeç, por mohon të ketë shkelur rregullat mbi fushën e shahut, madje ka thënë se është gati të luajë i zhveshur për të treguar mirëbesimin e tij.

Skandali nisi këtë muaj kur Carlsen, i konsideruar nga shumë si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, u mund nga Niemann në kampionatin Sinquefield Cup, duke i dhënë fund një ecurie prej 53-përballjesh pa humbje në shahun klasik.

Ai u largua nga turneu por më vonë komentoi me një video ku shihej trajneri i njohur i futbollit José Mourinho duke thënë: “Nëse flas, jam në telashe të mëdha”.

Javës që shkoi dyshja u përballën përsëri në një turne online, por Carlsen u tërhoq pas vetëm një lëvizjeje – në formë proteste ndaj pjesëmarrjes së at Niemann.

Carlsen arriti ta fitonte turneun por tha se duhet të bënte komentet e tij, duke deklaruar: “Hilet në lojën e shahut janë një problem që duhet marrë seriozisht”.

Carlsen ka thënë se dyshon ndaj Niemann pasi ka bërë progres “të pazakontë” vitet e fundit në lojë.

Ai tha se gjatë ndeshjes së tyre në Sinquefield Cup, shikonte se Niemann “nuk ishte i tensionuar dhe as plotësisht i përqendruar në lojë” ndërsa e kishte mundur me gurat e zinj të shahut “në një mënyrë që shumë pak lojtarë mund ta bejnë”.

“Duhet bërë dicka për hilet, nuk dua të luaj kundër njerëzve që kanë bërë me hile në të kaluarën sepse e di që ata e bëjnë përsëri”.

Niemann nga ana e tij bëri një mohim të fortë duke thënë se Carlsen e të tjerë po përpiqeshin t’i prishnin karrierën: “Mund të luaj krejt i zhveshur nëse doni”, justifikohej ai.

FOTO GALERI
1/3
Kampioni Magnus Carlsen (majtas) ka akuzuar për herë të parë haptazi kundërshtarin e tij Hans Niemann (djathtas) për manipulim

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA