Stuhia Fiona gjunjëzon Kanadanë, filipinasit marrin arratinë nga tajfuni Noru!

26/09/2022 14:30

Shtëpi të marra me vete nga uji, erëra që shkulnin çatitë e pemët nga rrënjët dhe zona të tëra pa energji elektrike! Stuhia Fiona la pas një vazhdë shkatërrimesh në rrugën e saj që kur un shfaq si uragan në veri të Karaibeve, për të goditur më pas pa mëshirë një sërë rajonesh të Kanadasë, përfshirë Nova Scotia, Newfoundland dhe Quebec.

Pamjet e shkatërrimit që mbollën erërat e dhunshme e shirat e rrëmbyer të saj ishin më të dukshme edhe nga pjesët e shtëpisë që deti nxori në breg.

Autoritetet kanadeze tani kanë konfirmuar dy vdekje të shkaktuara në momentin kur Fiona, u përplas në Nova Scotia, ndërsa kishte marrë më herët edhe shtatë jetë të tjera njerëzish teksa bënte kërdinë nëpër Karaibe.

“Siç e kemi parë dhe nga pamjet e shtëpisë që kanë përfunduar në det, dallgëve që gllabëronin prona e ndërtesa, situata është mjaft e vështirë. E di se këto janë momente aspak të lehta për njerëzit tanë, por ata duhet ta dinë se nuk janë vetëm, dhe se do të kenë të gjithë mbështetjen tonë”- u shpreh kryeministri Justin Trudeau.

Autoritetet kanadeze kanë vendosur të dërgojnë ushtrinë në zonat më të prekura për të ndihmuar në pastrimin e tyre nga pemët e rrëzuara e mbetje të tjera, për të rivendosur linjat e transportit e për të asistuar në çdo lloj mënyre tjetër që të munden. Me një situatë të ngjashme përballen edhe Filipinet, ku tajfuni Noru ka shkaktuar 5 të vdekur e ka përmbytur disa rajone, përfshirë kryeqytetin Manila.

Disa banorë të lagjes San Miguel atje përfunduan në çatitë e shtëpive të tyre për ti shpëtuar furisë së ujit, të tjerë janë zhytur në ujë deri në brez për të kaluar rrugën. Më shumë se 74 mijë persona të ndodhur në rrugën e tajfunit shkatërrimtar, janë detyruar të evakuohen, por fuqia e stuhisë pritet të bjerë mbrëmjen e sotme.

Top Channel