Hetimet për privatizimin e kompleksit ‘Partizani’, dërguan sot në SPAK ish-gjeneralin Vladimir Qirjazi.

Qirjazi, i cili mbante postin e komandantit të Komandës Mbështetëse në kohë kur u privatizua kompleksi Partizani, refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes të cilën ai e konsideroi të paligjshme.

Ish-drejtuesi i komandës logjistike të Forcave të Armatosura pritet të japë sot para prokurorëve të Posacëm, sqarimet e tij lidhur me privatizimin në fjalë si edhe proceduren e ndjekur. Deri më tani SPAK ka thirrur për të dhënë ‘llogari’ mbi këtë cështje në hetim, ish-ministrat Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa.

Në muajin nëntor mbushen dy vjet nga denoncimi për privatizimin e kompleksit Partizani. Kujtojmë se cështja u kallëzua në Prokurorinë e Posacme nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, por SPAK thotë se nuk ka vendosur ende se kur do ta thërrasë ish kryeministrin Sali Berisha, si njëri nga personat e kallëzuar në këtë çështje.

Hetimi i regjistruar për shpërdorim detyre synon të hedhë dritë mbi privatizimin e kompleksit Partizani, dikur në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Top Channel